Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë (FSDK) në bashkëpunim me bankat anëtare lanson projektin për implementimin e Sistemit të Premiumeve të Bazuara në Rrezik
Komunikatë për shtyp
FSDK lanson projektin për implementimin e Sistemit të Premiumeve të Bazuara në Rrezik bazuar në Udhëzimet e EBA-s. Në kuadër të fazës së parë të projektit për implementimin e Sistemit të Premiumeve të Bazuara në Rrezik, FSDK me ndihmën e kompanisë konsulente GBDS ka organizuar takime informuese me akterët e sektorit bankar në Kosovë, si: Banka Qendrore, Shoqata e Bankave si dhe bankat anëtare.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte informimi i palëve lidhur projektin dhe aktivitetet që do të ndërmerren, si dhe rolin e palëve të interesit në implementimin e këtij projekti.
Shtesë, gjatë muajit Maj u realizua punëtoria e parë për implementimin e Sistemit të Premiumeve të Bazuara në Rrezik për stafin e FSDK-së, e cila u pasua nga punëtoria e dytë që u organizua për BQK-në dhe bankat anëtare.
Qëllimi i këtyre punëtorive është që palët të njoftohen me konceptet e Sistemit të Premiumeve të Bazuara në Rrezik bazuar në Udhëzimet e EBA-s mbi kontributet e bazuara në rrezik për skemën e garancisë së depozitave, duke përfshirë kriteret për përcaktimin e profilit të rrezikut, përpunimin e të dhënave dhe mënyrën e llogaritjes, si dhe demonstrimin e sistemit të ri të premiumeve përpara se ky sistem të hyjë në fuqi.
Ky projekt do të përmirësoj dukshëm kapacitetin e FSDK-së për të vlerësuar profilin e rrezikut të bankave anëtare me qëllim të llogaritjes së premiumeve dhe vlerësimit të përgjithshëm të ekspozimit ndaj bankave anëtare, duke kontribuar kështu në rritjen e besueshmërisë në skemën e sigurimit të depozitave dhe stabilitetin e sistemit financiar.