Fondi për Sigurimin e Depozitave në Kosovë merr pjesë në ushtrimin e simulimit të organizuar nga Agjencia për Sigurimin e Depozitave të Shqipërisë
Komunikatë për shtyp
Me ftesë nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë (ASD), me datë 6 dhe 7 dhjetor 2021, stafi i FSDK-së udhëhequr nga Drejtorja Menaxhuese znj. Arijeta Neziraj – Elshani mori pjesë në ushtrimin e simulimit të organizuar nga ASD në Tiranë. Pjesëmarrja në këtë simulim kishte për qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale për realizimin e procesit të kompensimit si dhe ofrimin e mbështetjes së ndërsjellët në rast të mbylljes së një banke.
Simulimi u realizua për dy ditë, ku në ditën e parë u simuluan aktivitetet për kompensimin e depozitorëve, ndërsa në ditën e dytë u bë simulimi i tërheqjes së depozitave pranë bankës agjente të simuluar nga një grup depozitorësh, duke përfunduar me përmbylljen e procesit të kompensimit.
Pjesëmarrja në këtë simulim përveç që thellon edhe më tej bashkëpunimin në mes të FSDK-së dhe ASD-së, po ashtu ndikon në përmirësimin e nivelit të gatishmërisë dhe kapaciteteve profesionale të nevojshme për përmbushjen e mandatit të këtyre institucioneve për mbrojtjen e depozitorëve.