FSDK dhe BQK me Memorandum Mirëkuptimi që rrit efikasitetin e mandatit të FSDK-së
Komunikatë për shtyp
Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë (FSDK) ka nënshkruar Memorandum të ri Mirëkuptimi me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), duke rritë shkëmbimin e llojit të informatave në mes të dyja Palëve, dhe krijuar qasje në ekzaminime në bankat anëtare të FSDK-së.
Objektiva kryesore e shkëmbimit të informatave në mes të Palëve përfshi ekzaminimet në bankat anëtare është që të sigurohet përmbushja e mandatit të FSDK-së në mënyrë efikase dhe efektive. Sipas ligjit për themelimin e sistemit të sigurimit të depozitave në Kosovë, mandati i FSDK-së është mbrojtja e depozituesve të vegjël nga humbja në rast të paraqitjes së një ngjarjeje të siguruar përfshi përmbylljen e një banke anëtare në vend, dhe të mbështesë Bankën Qendrore në arritjen e qëllimit të saj për rritjen e sigurisë, solvencës dhe funksionimin efikas të një sistemi stabil, të bazuar në ekonominë e tregut.
Memorandumi i nënshkruar përcakton shkëmbimin dhe koordinimin e vazhdueshëm të informatave në kohë të duhur sa i përket (i) licencimit të institucioneve financiare që do të pranojnë depozita, (ii) vlerësimit dhe mbledhjes së premiumit për bankat anëtare, (iii) paralajmërimit të hershëm, (iv) procesit të kompenzimit të depozitave të siguruara gjatë administrimit zyrtar, përmbylljes së bankës, likuidimit, dhe (v) planifikimit kontingjent. Gjithashtu, memorandumi adreson bashkëpunimin në aspektin e ekzaminimit të bankave anëtare të FSDK-së lidhur me kualitetin e të dhënave të depozitave/depozitorëve të dorëzuara nga ana e bankave përfshirë gjithashtu edhe obligimet tjera ligjore të bankave përkatëse në raport me FSDK-në.
Për më shumë, Memorandumi i nënshkruar rregullon detajet e raportimit të rregullt sipas ligjit të FSDK-së ndaj BQK-së duke fokusuar përveç Raportit Vjetor edhe në raportim mbi skemën e sigurimit të depozitave, me theks në përshtatshmërinë e nivelit të limitit të sigurimit të depozitave dhe qëndrueshmërisë së modelit të financimit të FSDK-së.
Memorandumi i mirëkuptimit adreson bashkëpunimin sipas praktikave më të mira të rrjetit të sigurisë financiare i draftuar kështu nga Palët nën mbështetjen e FinSAC nga Banka Botërore.
FSDK në harmoni me Planin Strategjik të saj do të punojë tutje për të avancuar proceset në harmoni me standardet ndërkombëtare për sistemet e sigurimit te depozitave, duke mbështetur kështu BQK-në në sigurimin e një sistemi financiar stabil në Kosovë.