Komunikatë për shtyp

Back to top

FSDK dhe SDIF nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunim Bilateral

Komunikatë për shtyp

Tokio, Japoni – 12 nëntor 2024 –Fondi i Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK) ka    nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit (MIM) me Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kursimeve të Turqisë (SDIF) për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh. Ceremonia zyrtare e nënshkrimit u zhvillua gjatë ngjarjeve te Asociacionit Ndërkombëtar  të Siguruesve të Depozitave (IADI), Takimin e Përgjithshëm Vjetor të 23-të të Anëtarëve, Takimin e 80-të të Këshillit Ekzekutiv të IADI-t si dhe Konferencën Ndërkombëtare Vjetore, të mbajtur nga Korporata e Sigurimit të Depozitave të Japonisë (DICJ) në Tokio, Japoni.

Memorandumi i Mirëkuptimit nënkupton një hap strategjik përpara në forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive ndërmjet FSDK-së dhe SDIF-së. MIM do te shërbejë si një kornizë për bashkëpunim të ndërsjellë që synon avancimin e zhvillimit të sistemeve të sigurimit të depozitave të dy institucioneve. Marrëveshja thekson takimet e rregullta dypalëshe, shkëmbimin e hulumtimeve dhe ekspertizës teknike, dhe iniciativat e përbashkëta në fushat e sigurimit të depozitave.

Znj. Shqipe Devaja, Drejtoreshë Menaxhuese e FSDK-së dhe z. Yusuf Öksüzömer, Anëtar i Bordit të SDIF-it, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit në emër të institucioneve të tyre përkatëse. Marrëveshja shënon një moment historik të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet FSDK-së dhe SDIF-it.