FSDK fillon implementimin e funksionit për menaxhimin e rrezikut në bashkëpunim më Bankën Botërore
Komunikatë për shtyp
FSDK, me ndihmën e njësisë FinSAC të Bankës Botërore të dakorduar nëpërmjet asistencës teknike për vitin 2022, do të implementojë funksionin për menaxhimin e rrezikut. Ky funksion do të ndihmoj FSDK-në për t’u përgjigjur dhe trajtuar rreziqet të cilave ekspozohet ashtu që të siguroj gatishmëri operacionale në nivel institucional në mënyrë që të përmbush mandatin e saj për mbrojtjen e depozitorëve.
Bordi i FSDK-së miratoi Politikën për Menaxhimin e Riskut në Dhjetor 2021, dhe këtë muaj u mbajt një punëtori për stafin e FSDK-së e ofruar nga ekspertë të riskut nga FinSAC-u. Punëtoria ofroi konceptet kyçe për menaxhimin e rrezikut, standardet ndërkombëtare të aplikueshme, aplikimin e këtyre koncepteve sipas Politikës së FSDK-së dhe ndjekjen e procesit për menaxhimin e rrezikut në nivel institucional.
Kjo punëtori paraqet fazën e parë të implementimit të Kornizës për Menaxhimin e Rrezikut në FSDK e cila do të pasohet nga aktivitete tjera ku si rezultat përfundimtar do të jetë hartimi i profilit të rrezikut të FSDK-së.