Përfaqësuesit e FSDK-së janë duke marrë pjesë në Takimin e Përgjithshëm Vjetor dhe Konferencën e Ndërkombëtare të Forumit Evropian të Siguruesve të Depozitave (EFDI) që është duke u mbajtur në Rhodes, Greqi
Komunikatë për shtyp
Forumi Evropian i Siguruesve të Depozitave (EFDI), ku FSDK është anëtare e plotë, është duke mbajtur Takimin e Përgjithshëm Vjetor për vitin 2022 dhe Konferencën Ndërkombëtare përgjatë periudhës 25-27 Maj në Rhodes, Greqi, e organizuar nga Fondi Helen për Garancinë e Depozitave dhe Investimeve (TEKE). Pjesëmarrës, në rolin e anëtarëve në EFDI, nga 44 delegacione janë duke marrë pjesë në këtë ngjarje. FSDK u përfaqësua nga anëtarja e Bordit Menaxhues, znj. Fetije Ukaj, Drejtorja Menaxhuese, znj. Arijeta Neziraj Elshani dhe z. Vllaznim Bytyqi, Zyrtar i Lartë i Financave.
Tema kryesore e kësaj konference është “Sfidat e reja dhe problemet në rrjetin e sigurisë financiare”. Gjatë këtij takimi tre-ditor do të realizohen diskutime në pesë panele të ndryshme, në formatin e intervistës, me pyetje dhe përgjigje rreth temave me fokus në sigurimin e depozitave, si: Inovacioni Financiar, Dixhitalizimi, korniza rregullative, rreziku dhe problemet e mjedisit, rreziku kibernetik dhe mbrojtja e të dhënave. Panelet do të eksplorojnë se si Skemat Evropiane të Garantimit të Depozitave përgatiten për sfidat e ndryshme që dalin nga teknologjitë inovative, ndryshimet klimatike ose nga rregulloret në ndryshim.
Përveç pjesëmarrjes në konferencë, përfaqësuesit e FSDK-së do të marrin pjesë edhe në grupet punuese respektive, që trajtojnë tematika të veçanta si: stres testet, rrezikun dhe kontrollet, vetëdijesimin e publikut, si dhe në Asamblenë e Përgjithshme ku ndër të tjerash do të votohet bordi i ri i këtij forumi, raportet financiare si dhe do të prezantohet puna e grupeve të ndryshme punuese.