Fehmi Mehmeti

Back to top

Kryesues i Bordit Menaxhues

Fehmi Mehmeti Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Z. Fehmi Mehmeti është zgjedhur më 15 mars 2018, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ndërsa më 26 mars 2018 është emëruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës në pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës .

Fehmi Mehmeti gjithashtu është kryesues i Bordit Ekzekutiv të BQK-së. Më datën 11 shtator 2017 –të, z. Fehmi Mehmeti është emëruar nga Bordi i BQK-së, Ushtrues Detyre i Guvernatorit deri në zgjedhjen e Guvernatorit të ri. Ndërsa më datë 1 shtator 2013 është emëruar në pozitën e Zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Në pozitën e tij si Zëvendësguvernator i Mbikëqyrjes Financiare, ishte i ngarkuar për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare, të cilat operojnë në Republikën e Kosovës, apo në veçanti të bankave, institucioneve mikrofinanciare, institucioneve financiare jobankare, kompanive të sigurimit, të fondeve pensionale dhe letrave me vlerë. Në të njëjtën kohë, ai ishte Anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQK-së.

Mehmeti, në vitin 1991 ka mbaruar studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Ekonomik. Në vitin 2012, ka përfunduar studimet pasuniversitare, drejtimi Tregje Financiare dhe Banka. Gjatë viteve 1991-1992, z. Mehmeti ka punuar në shkollën e mesme “Marin Beçikemi” në Vushtrri, si ligjërues i lëndëve ekonomike, ndërsa gjatë viteve 1993-1998 ka punuar si udhëheqës financiar në ndërmarrje tregtare. Gjatë viteve 1999-2001 ai ka punuar në Kuvendin Komunal në Vushtrri, fillimisht si zyrtar në Departamentin e Financave, e pastaj si drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Në periudhën 2001-2011 z. Mehmeti ka mbajtur pozicione të ndryshme në Administratën Tatimore të Kosovës, fillimisht në zyrën regjionale në Mitrovicë, si inspektor tatimor, e pastaj në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në Prishtinë, fillimisht në pozitën e Këshilltarit për TVSH e pastaj si Menaxher i Kontrollit të Tatimpaguesve. Gjatë kohës së angazhimit në Administratën Tatimore të Kosovës, z. Fehmi Mehmeti ka qenë pjesëmarrës aktiv në hartimin e legjislacionit tatimor të Kosovës. Ndërsa në periudhën 2011-2013 z. Mehmeti ka qenë fillimisht zyrtar kryesor për buxhet dhe financa, Departamenti i Financave, e pastaj si Shef Kabineti i Kryeshefit Ekzekutiv, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Gjatë kohës së angazhimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, z. Fehmi Mehmeti ka qenë pjesëmarrës aktiv në hartimin e legjislacionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Gjatë periudhës 2010-2013 ai ka qenë Drejtor Bordi në Ndërmarrjen Publike “Uniteti” me seli në Mitrovicë. Njëkohësisht, gjatë viteve 2011-2012 është angazhuar si bashkëpunëtor i jashtëm, ligjërues në Universitetin e Prishtinës. Përveç përvojës së lartcekur, z.Mehmeti ka titullin e Kontabilistit të Certifikuar dhe është njohës shumë i mirë i çështjeve tatimore dhe çështjeve të aviacionit civil.