Prej 23 deri 28 tetor 2016, përfaqësues të FSDK-së morën pjesë në takimin e 15-të të përgjithshëm vjetor të IADI dhe në Konferencën Vjetore në Seul ku nikoqir ishte Korporata e Sigurimit të Depozitave të Koresë
Komunikatë për shtyp
Përfaqësuesit e Fondit për Sigurimin e Depozitave në Kosovë, morën pjesë në takimin e 15-të të përgjithshëm vjetor të anëtarëve të Shoqatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave “IADI”, në Konferencën Vjetore dhe në takimin e 50-të të EXCO nga 23 deri më 28 tetor 2016, në Seul, Kore. Ngjarjet u organizuan nga Korporata e Sigurimit të Depozitave të Koresë, ku morën pjesë mbi 180 pjesëmarrës, që përfaqësonin rreth 70 juridiksione në mbarë botën.
FSDK-ja u përfaqësua nga Drejtoresha Menaxhuese, zonja Violeta Arifi-Krasniqi dhe nga zyrtari i lartë financiar z. Vllaznim Bytyqi. Përfaqësuesit e FSDK-së morën pjesë në të gjitha takimet kryesore të komisioneve të punës brenda IADI për të trajtuar tema të rëndësishme siç janë metodologjia e vlerësimit të parimeve themelore, kërkimet, trajnimet, të dhënat dhe anketat, takimet rajonale, plani strategjik dhe reforma e IADI.
Përfaqësuesit e FSDK-së gjithashtu morën pjesë në mbledhjen e Komitetit Rajonal IADI për Evropë ku anëtarët u informuan mbi përparimin e fundit dhe diskutuan aktivitetet e ardhshme. Me ftesë të presidentit të IADI Thomas Hoenig, Drejtoresha Menaxhuese e FSDK-së, zonja Violeta Arifi-Krasniqi, mori pjesë në takim me ata anëtarë të IADI që aktualisht nuk përfaqësohen në Këshillin Ekzekutiv për ta diskutuar drejtimin strategjik të IADI.
Presidenti i IADI Thomas Hoenig gjatë takimit theksoi progresin e arritur rreth drejtimit të ri strategjik të Shoqatës, në strukturën e saj dhe bazën e saj të burimeve, duke e vlerësuar rolin e Shoqatës, si hartues i standardeve, partneritetet e saj me institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja, si dhe rolin e saj të zgjeruar me hulumtime, udhëzime rreth politikave, mbledhjen e të dhënave, trajnimin dhe asistencën teknike, dhe të komunikimin dhe informimin në terren. Anëtarëve iu prezantuan tri qëllimet strategjike për periudhën pesëvjeçare 2015-2020: promovimi i sistemit të përputhshmërisë për sigurimin e depozitave me parimet themelore; avancimi i hulumtimit të sigurimit të depozitave dhe i hartimit të politikave, si dhe ofrimi i mbështetjes teknike për anëtarët në modernizim dhe përmirësim të sistemeve të tyre.
Anëtarëve të IADI iu dha mundësia e zgjedhjes së përfaqësuesve të caktuar të anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv (EXCO) të Shoqatës. EXCO me 25 anëtarë është organi drejtues i Shoqatës, dhe nominimi për zgjedhje ishte e hapur për të gjithë përfaqësuesit e caktuar të Shoqatës. Këtë vit ishin hapur 17 prej ulëseve të EXCO-së për zgjedhje. Drejtoresha Menaxhuese e FSDK-së, znj. Violeta Arifi-Krasniqi, u zgjodh për Pozitën e anëtarit të Këshillit Ekzekutiv për mandat trevjeçar.
Anëtarët e Bordit Drejtues, z. Ilir Rama, përfaqësues nga Ministria e Financave, dhe z. Bekim Berisha, anëtar i pavarur, iu bashkuan delegacionit të FSDK-së për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore të 15-të të IADI me temën “Përgatitemi për krizën e radhës”, ku kishte prezantime dhe diskutime në panel nga politikëbërësit e lartë, siguruesit e depozitave dhe akademikë të shquar, për të diskutuar, debatuar dhe siguruar njohuri për çështjet kyçe të cilat ndikojnë në ekonominë globale, stabilitetin financiar dhe sigurimin e depozitave.
Fjalimet hyrëse dhe fjalimet kyçe theksuan shqetësimet në rritje për mundësinë e një krize tjetër financiare për shkak të pasigurive të shumta në tregjet ekonomike dhe financiare globale. Duke pasur parasysh ndryshimet në tregjet financiare globale dhe natyrën përsëritëse të krizës financiare, folësit kërkuan fuqishëm nga siguruesit e depozitave që ta rrisin aftësinë e tyre për t’i parandaluar krizat, për të ndërtuar mekanizma efektiv në përgjigje të krizave dhe për të bashkëpunuar më fortë.
Diskutimet e panelit në Konferencë u përqendruan në tri tema kryesore: e para, si të inkurajohen institucionet financiare për ta menaxhuar veten në mënyrë të sigurt dhe të shëndoshë; e dyta, ndërtimi i mekanizmave më efektiv të reagimit ndaj krizave në bashkëpunim me partnerët tjerë të rrjetit të sigurisë financiare; dhe e treta, llojet e kornizave të reja të financimit që do t’i ndihmojnë siguruesve të Depozitave që të përballen me sukses me kriza. Të gjitha temat e mësipërme janë me rëndësi kritike për përforcimin e sigurimit të depozitave dhe për stabilitetin financiar.
FSDK-ja mori pjesë edhe në ekspozitën dyditore ndërkombëtare për sigurimin e depozitave të organizuar nga IADI për të gjithë anëtarët e IADI e cila ofroi mundësi për ta promovuar Raportin Vjetor 2015, si dhe fletëpalosjet informative për depozituesit dhe materiale të tjera promocionale.