Komunikatë për shtyp

Back to top

Fondi i Sigurimit të Depozitave tejkalon shumën prej 100 milionë euro

Komunikatë për shtyp

Fondi i Sigurimit të Depozitave (FSD), i përbërë nga kapitali dhe të ardhurat neto të akumuluara, ka arritur vlerën prej 100.6 milionë euro. Arritja e nivelit prej 100 milionë euro shënon një zhvillim të rëndësishëm institucional, i cili reflekton qeverisjen efektive të Fondit, menaxhimin e kujdesshëm të mjeteve dhe ecurinë pozitive të sektorit financiar në vend.

Ky rezultat është mbështetur nga kontributet fillestare të kapitalit, pagesat e premiumeve të rishikuara nga institucionet anëtare, zgjerimi i bazës së depozitave të siguruara, si dhe nga politikat financiare të orientuara drejt forcimit të kapaciteteve të Fondit për përmbushjen e mandatit të tij ligjor.

Në këtë kuadër, rritja e Fondit të Sigurimit të Depozitave është reflektuar edhe në përmirësimin e mëtejshëm të raportit të mbulimit. Më 31 korrik 2026, raporti i mbulimit arriti në 6.3%, mbi kërkesat minimale prej 5%, dhe njëherit paraqet nivelin më të lartë të shënuar deri më tani dhe dëshmon progres të qëndrueshëm drejt objektivit afatgjatë të Fondit.

Ky zhvillim e forcon më tej gatishmërinë institucionale për mbrojtjen efektive të depozitorëve dhe përbën kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e besimit të publikut, stabilitetit financiar dhe qëndrueshmërisë së sektorit bankar në Republikën e Kosovës.