Në punëtorinë e përbashkët stafi i FSDK-së përfundoi “Procedurën Standarde të Veprimit mbi Procesin e Kompenzimit të Depozitorëve”
Komunikatë për shtyp
Stafi i FSDK-së ka mbajtur punëtorinë e përbashkët për finalizim të Procedurës Standarde të veprimit mbi procesin e kompenzimit të depozitorëve në ngjarjen e siguruar dhe simulim të saj. Procedura detajon hapat të cilat duhet të ndërmerren për të përmbushur Planin 7 ditor të kompenzimit për të gjitha fazat e kompenzimit, përfshirë afatet, personat përgjegjës dhe zëvendësit. Në shtesë, janë shqyrtuar dhe finalizuar anekset e nevojshme për të siguruar gadishmërinë operacionale të stafit dhe partnerëve të përfshirë në proces të kompenzimit të depozitorëve. Punëtoria u mbajt në Tiranë nga data 22 deri më 25 Maj 2017.
Ndërsa me datë 25 Maj 2017, u zhvillua një takim me përfaqësues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë dhe Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës, me pjesëmarrjen e Drejtoreshës Menaxhuese të FSDK Zj. Violeta Arifi-Krasniqi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ASD, Z. Genci Mamani, si dhe punonjës nga të dy institucionet. Objekt i këtij takimi ishte shkëmbimi i eksperiencave për procedurat operacionale për realizimin e një procesi kompensimi. Në veçanti, në këtë takim u dakortësua në lidhje me organizimin e dy simulimeve të përbashkëta gjatë vitit 2017. Organizimi i simulimeve synon përmirësimin e kapaciteteve profesionale të punonjësve të dy institucioneve, si dhe mundëson mbështetjen e ndërsjellët në rast të një ngjarjeje sigurimi.
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira të ASD me siguruesit e depozitave homologe, kryesisht ato rajonalë.