Drejtoresha Menaxhuese përfaqësoi FSDK në takimin e 5-të Rajonal të EFDI-it Ballkanik
Komunikatë për shtyp
Me ftesë të Drejtorit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë, Zt. Genci Mamani, FSDK u përfaqësua nga Drejtoresha Menaxhuese, Znj. Violeta Arifi – Krasniqi në takimin e 5-të rajonal të EFDI-it Ballkanik. Takimi i organizuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë, u zhvillua në Gjirokastër, nga data 11 – 13 qershor 2017. Ky takim ndjek një traditë të vazhdueshme takimesh mes autoriteteve të sigurimit të depozitave të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm; Bosnje dhe Hercegovinë, përfaqësuar nga Z. Josip Nevjestic, Drejtor i Përgjithshëm; Kroaci, përfaqësuar nga Znj. Marija Hrebac, Drejtore e Përgjithshme; Maqedoni, përfaqësuar nga z. Goran Ancheski, Drejtor i Përgjithshëm; Mali i Zi, përfaqësuar nga zoti Predrag Markoviç, Drejtori i Përgjithshëm dhe Serbia, të përfaqësuar nga z. Srdjan Mihajloviç dhe z. Vladimir Medan, respektivisht kryetar dhe anëtar i bordit të drejtorëve, me qëllim të diskutimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe njohurive.
Sfidat, perspektivat, çështjet e interesit të përbashkët etj., ishin disa prej çështjeve që drejtuesit ekzekutivë diskutuan gjatë takimit, ku ndër të tjera u theksuan zhvillimet e fundit në çdo juridiksion, rastet e kompensimit, dialogu mbi stabilitetin financiar brenda rrjeteve të tyre përkatëse të sigurisë, roli i siguruesve të depozitave në kuadrin e iniciativave të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe marrëdhëniet me autoritetet mbikëqyrëse në lidhje me këtë.
Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryetari i EFDI-t dhe njëkohësisht drejtor i përgjithshëm i skemës së sigurimit të depozitave të Zvicrës Zt. Patrick Loeb, i cili iu paraqiti të gjithë pjesëmarrësve ndryshimet e fundit të Statutit të EFDI-t dhe ndryshimet brenda strukturës organizative të EFDI, si dhe projektet e ardhshme të cilat synojnë të forcojnë organizatën dhe anëtarët e saj. Gjithashtu, në këtë takim morën pjesë si të ftuar të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Drejtoresha e Fondit për Garantimin e Depozitave dhe Investimeve të Greqisë (TEKE), Znj. Georgia Karageorgi, Drejtoresha Menaxhuese e Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK), Znj. Violeta Arifi Krasniqi dhe Fondi Bullgar i Sigurimit të Depozitave (BDIF), Z. Bisser Manolov, anëtar i bordit.
Drejtoresha Menaxhuese, Znj. Violeta Arifi Krasniqi prezantoi Skemën e Sigurimit të Depozitave të Kosovës si dhe iniciativën për avancimin e kornizës bashkëpunuese me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.