Delegacioni i FSDK-së merr pjesë në Takimin e Përgjithshëm Vjetor dhe Konferencën Ndërkombëtare të Forumit Evropian të Siguruesve të Depozitave (EFDI)
Komunikatë për shtyp
Delegacioni i FSDK-së i përfaqësuar nga Kryesuesi i Bordit Menaxhues z. Ahmet Ismaili, Drejtorja Menaxhuese znj. Shqipe Devaja me bashkëpunëtorë është duke marrë pjesë në Takimin e Përgjithshëm Vjetor dhe Konferencën Ndërkombëtare të Forumit Evropian të Siguruesve të Depozitave (EFDI), të organizuar nga Fondi Sigurimit të Depozitave të Spanjës e cila po mbahet në Madrid. Në kuadër të Takimit të Përgjithshëm Vjetor mbahet edhe Konferenca Ndërkombëtare për Skemat e Sigurimit të Depozitave, me temën “Përqafimi i së Ardhmes mbi Baza të Qëndrueshme: Forcimi i Stabilitetit Financiar.”
Gjatë konferencës së EFDI me pjesëmarrje të nivelit të lartë, po diskutohen çështje të rëndësishme për siguruesit e depozitave në Evropë, kornizën rregullative Evropiane të ndërlidhura me Sistemet e Sigurimit të Depozitave dhe përmbylljen e Bankave në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar. Me theks të veçantë diskutimet do të përqendrohen rreth mënyrës se si politika monetare, përqendrimi i tregut dhe rregullimi po e formësojnë sektorin bankar evropian, progresin në projektet e Unionit të Tregjeve të Kapitalit dhe Unionit Bankar, zhvillimet e fundit dhe boshllëqet në propozimin për Menaxhimin e Krizave dhe Sigurimin e Depozitave (CMDI).
Gjatë kësaj ngjarje, delegacioni zyrtar i FSDK-së do të ketë takime tjera bilaterale me politikëbërës për të nxitur bashkëpunimin në çështjet e sigurimit të depozitave, duke avancuar marrëdhëniet strategjike të bashkëpunimit me Agjencitë për Sigurimin e Depozitave në Evropë.
Forumi Evropian i Siguruesve të Depozitave (EFDI), ofron një forum ku hartuesit e politikave dhe profesionistët angazhohen në diskutime mbi sigurimin e depozitave, përmbylljen e bankave dhe stabilitetin financiar, ku FSDK është anëtare me të drejta të plota.
Pjesëmarrja në këtë konferencë të nivelit të lartë nënvizon përkushtimin e FSDK-së për forcimin e stabilitetit financiar, avancimin e reformave strukturore dhe të kornizës rregullative, si dhe ngritjen e kapaciteteve në funksion të gatishmërisë operacionale në mbështetje të BQK-së në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbrojtje të depozitave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.


