FSDK në takimin e përgjithshëm vjetor të Forumit Evropian të Siguruesve të Depozitave: Nënshkruhet Marrëveshje Bashkëpunimi me Sistemin e Sigurimit të Tregut Financiar të Republikës Çeke dhe realizohen takime bilaterale të nivelit të lartë me institucione homologe
Komunikatë për shtyp
Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Përgjithshëm Vjetor dhe Konferencën Ndërkombëtare të Forumit Evropian të Siguruesve të Depozitave (EFDI), të mbajtur me 5–6 qershor 2025 në Madrid, delegacioni i Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK), i përbërë nga Kryesuesi i Bordit Menaxhues, z. Ahmet Ismaili, Drejtorja Menaxhuese, znj. Shqipe Devaja, si dhe bashkëpunëtorë të institucionit, realizuan disa aktivitete të rëndësishme në funksion të thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit të standardeve të sigurimit të depozitave në mbrojtje të depozitorëve.
Në kuadër të këtyre takimeve, FSDK nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Sistemin e Sigurimit të Tregut Financiar të Republikës Çeke, me synim forcimin e bashkëpunimit teknik dhe institucional, shkëmbimin e përvojave praktike dhe mbështetjen e ndërsjellë në zhvillimin e mëtejmë të skemave të sigurimit të depozitave sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Marrëveshja u nënshkrua nga z. Kryesues i Bordit Menaxhues të FSDK-së dhe znj. Renáta Kadlecová, Kryetare e Bordit Menaxhues e institucionit homolog të Republikës së Çekisë.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni i FSDK-së zhvilloi takime dypalëshe me përfaqësues të institucioneve homologe evropiane, duke përfshirë takimin me drejtuesit asociacioneve përkatëse të sigurimit evropian dhe ndërkombëtar të depozitave: z. Stefan Tacke – Kryetar i Bordit të EFDI-së, si dhe z. Carlos Colao – Sekretar i Përgjithshëm i EFDI-së. znj. Eva Hupkes – Sekretare e përgjithshme e Asociacionit Ndërkombëtar të Siguruesve të Depozitave (IADI). Po ashtu, u zhvilluan takime me institucionet homologe të sigurimit të depozitave, si z. András Komár – Drejtor Menaxhues i Fondit Kombëtar të Sigurimit të Depozitave të Hungarisë, z. José Luis Ballesteros – Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Garancisë së Depozitave të Entiteteve Kreditore të Spanjës (FGD), si dhe z. Genci Mamani – Drejtor Menaxhues i Fondit të Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë.
Takimet u fokusuan në shkëmbimin e përvojave për forcimin e rolit të skemave të sigurimit të depozitave në ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe në diskutime për avancimin e reformave strukturore, harmonizimin e kornizës rregullative, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, dhe ndërtimin e kapaciteteve teknike dhe institucionale në funksion të përmbushjes së standardeve evropiane dhe mbrojtjes efektive të depozitorëve.
Prandaj, platforma si këto që promovojnë përveç tjerash bashkëpunimin ndërmjet bankave qendrore, autoriteteve rregullator, skemave të sigurimit të depozitave dhe autoriteteve tjera publike, të nevojshme për të arritur objektivat e përbashkëta institucionale.






