Sistemi për Sigurimin e Depozitave është themeluar me Ligjin mbi Sigurimin e Depozitave në muajin dhjetor të vitit 2010 dhe hyri në fuqi në qershor të vitit 2011 me qëllim që të mbrojë depozitorët e vegjël dhe të kontribuojë në stabilitetin financiar. Sistemi për Sigurimin e Depozitave menaxhohet nga Fondi për Sigurimin e Depozitave në Kosovë (FSDK), një institucion i pavarur publik, i krijuar dhe i rregulluar me Ligjin mbi Sigurimin e Depozitave, detyra e të cilit është që të menaxhoj Fondin për Sigurimin e Depozitave (FSD) me mandat kryesore për kompensimin e depozitorëve të siguruar, brenda tridhjetë ditëve, në rastin e revokimit të licencës dhe mbylljes së një banke nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).
Sistem për sigurimin e depozitave është i detyrueshëm për të gjithë institucionet financiare që pranojnë depozita, aktualisht bankat, të licencuara nga BQK-ja për të pranuar depozita, me përjashtim të degëve të huaja që në vendet e origjinës kanë limit më lartë të sigurimit të depozitave e sa ajo që ofrohet nga FSDK-ja.
Sigurimi i depozitave mbron depozitat dhe garanton kompensimin e depozitorëve të siguruar deri në limin ligjor të sigurimit të depozitave në rast të revokimit të licencës dhe mbylljes së bankës.
Depozitorët e siguruar që mbajnë depozita në një bankë janë:
• Personat fizik (individët privat) dhe
• Personat juridik (kompanitë e regjistruara, etj .)
Depozituesit kosovarë por edhe ata të huaj që depozitojnë fonde në sistemin bankar të Kosovës, janë të siguruar.