Kryesues i Bordit Menaxhues
Ahmet Ismaili ka kryer studimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Fakultetin Ekonomik dhe mban titullin Doktor i Shkencave të Ekonomisë, në drejtimin Banka dhe Financa.
Ismaili ka karrierë gati 19 vjeçare, në fushën e bankave dhe financave, duke mbajtur pozita të larta drejtuese, me rezultate të rëndësishme në industrinë financiare dhe sektorin publik.
Përvoja profesionale prej 12 vitesh konsiston në industrinë financiare, veçanërisht në sistemin bankar dhe sigurime, në pozicione të ndryshme deri te ato drejtuese (Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordit) në institucione financiare bankare, si vendore dhe ndërkombëtare.
Për një mandat të plotë 5 vjeçar, shërbeu si Drejtor i Përgjithshëm i Thesarit të Shtetit në Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës (MF). Me detyrë zyrtare, Ismaili ishte anëtar i Komitetit Kombëtar të Pagesave në kuadër të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), si dhe i disa komisioneve tjera ndërinstitucionale, përfshirë Grupin për Strategjinë për Reformën e Financave Publike, Draftimin e Ligjit për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, etj.
Në këtë detyrë pati rastin të përfaqësojë në nivele më të larta Republikën e Kosovës, duke prezantuar vendin në institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar (IMF), Banka Botërore (WB), Thesari Amerikan (US Department of the Treasury) dhe në forume profesionale të thesareve dhe bankave qendrore nga rajoni deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka kryesuar në emër te Republikës së Kosovës disa procese të negocimit për marrëveshje financiare me institucionet kryesore ndërkombëtare.
Së fundi, Ismaili ishte Drejtor Menaxhues dhe Anëtar Bordi në institucionin e pavarur Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), ndërsa paraprakisht ka qenë Anëtar i Bordit dhe i Komitetit të Auditimit në Fondin për Sigurimit Shëndetësor (FSSH).
Sa i përket anës akademike, ka qenë i angazhuar dhe ka ligjëruar për rreth 8 vite në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës dhe universitete të tjera të akredituara në Kosovë, si në nivelin e Bachelor dhe Master, në lëndët e fushës bankare dhe financiare: Banka dhe Afarizëm Bankar, Menaxhimi Financiar, Analizë Financiare, etj.
Nga viti 2007, Ismaili ishte trajner i lartë vendor i certifikuar dhe ekspert i Shoqatës së Bankave të Kosovës (SHBK), për programet në Federatën Evropiane të Certifikimit në Banka (EFCB) dhe Rrjetin Evropian të Trajnimit të Shërbimeve Financiare dhe Bankare (EBTN). Gjithashtu, ka përfunduar një numër të madh të trajnimeve profesionale jashtë vendit.
Ismaili ka punuar dhe është angazhuar si ekspert dhe konsultent i institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, si në Qendrën për Ekselencën Financiare (CEF) me seli në Lubjanë të Sllovenisë, si dhe për kompani financiare amerikane me seli në Washington D.C.
Nga gushti i vitit 2023, Ismaili ushtron detyrën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) si dhe nga detyra zyrtare Kryeson Bordin Menaxhues të Fondit për Sigurimin e Depozitave (FSDK).
Ismaili është i martuar, ka fëmijë dhe jeton në Prishtinë.