FSDK merr pjesë në Takimin e Komitetit të BE-së të EFDI
Komunikatë për shtyp
FSDK merr pjesë për herë të parë në Takimin e Komitetit të BE-së të Forumit Evropian të Siguruesve të Depozitave (EFDI), të mbajtur më 22 dhe 23 prill 2026 në Firence, të Italisë. FSDK u përfaqësua nga Z. Vllaznim Bytyqi, Zyrtar i Lartë i Financave dhe ekspert financiar. Takimi u organizua nga Fondo di Garanzia dei Depositanti del Credito Cooperativo (FGDCC).
Gjatë takimit, Komiteti i BE-së zhvilloi diskutime të thella mbi paketën e reformave të BE-së mbi Menaxhimin e Krizave dhe Sigurimin e Depozitave (CMDI), e cila përfshin rishikimet e Direktivës së BE-së për Rimëkëmbjen dhe Përmbylljes së Bankave (BRRD) dhe Direktivës për Skemat e Sigurimit të Depozitave (DGSD), si dhe Rregulloren e Mekanizmit të Vetëm të Përmbylljes (SRMR).
Reformat e propozuara synojnë të rrisin mbrojtjen e depozitorëve, duke ofruar më shumë fleksibilitet në aplikimin e instrumenteve të përmbylljes së bankave për bankat e të gjitha madhësive kur konsiderohet në interes publik, të forcojnë rolin e skemave të sigurimit të depozitave në financimin e përmbylljes, një kalim gradual nga financimi publik drejt mekanizmave të financuar nga industria bankare. Reformat pritet të kontribuojnë në në rritjen e stabilitetit financiar dhe të mbështesin përfundimin e mëtejshëm të Unionit Bankar të BE-së.
Takimi mblodhi ekspertë dhe përfaqësues nga skemat e sigurimit të depozitave nga e gjithë Evropa për të diskutuar zhvillimet kryesore në sektorin financiar, duke përfshirë ato të Unionit Bankar të BE-së. Folësit kryesorë përfshinin përfaqësues nga Bordi i Autoritetit Evropian për Përmbyllje të Bankave (SRB) dhe Banka e Italisë, të plotësuar nga diskutime në panel ekspertësh të udhëhequra nga akademikë nga Universitetet Evropiane. Pjesëmarrja e FSDK -së në Komitetin e BE-së është e rëndësishme për për harmonizim të mëtejshëm me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

