FSDK takoi Misionin e FMN-së për asistencë teknike në avancimin e kornizës për menaxhimin e krizave dhe stabilitetin financiar
Komunikatë për shtyp
Prishtinë, 27 Prill 2026 – Drejtoresha Menaxhuese e Fondit për Sigurimin e Depozitave në Kosovë (FSDK), Znj. Shqipe Devaja, së bashku me zyrtaren e lartë për kompenzim Znj Lirika Ulaj, takoi përfaqësuesit e Misionit për asistencë teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga znj. Vasilika Kota, Eksperte e Lartë e Sektorit Financiar, dhe znj. Minke Gort, Eksperte e Lartë në Departamentin e Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit.
Qëllimi i takimit ishte mbështetja e avancimit të kornizës ndërinstitucionale për menaxhimin e krizave dhe forcimin e stabilitetit financiar në Kosovë.
Gjatë takimit, përfaqësueset e Misionit të FMN-së prezantuan objektivat dhe komponentët kryesorë të asistencës teknike, të fokusuar në formalizmin dhe forcimin e koordinimit efektiv ndërinstitucional ndërmjet akterëve të rrjetit të sigurisë financiare, me synim rritjen e gatishmërisë institucionale për parandalimin, përgatitjen dhe menaxhimin e situatave të krizës financiare.
Znj. Devaja shprehu vlerësimin e saj për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndaj reformave në sektorin financiar dhe informoi ekipin e FMN-së mbi zhvillimet e fundit në sistemin e sigurimit të depozitave në Republikën e Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të koordinimit ndërmjet institucioneve të rrjetit të sigurisë financiare, veçanërisht në fushat e menaxhimit të krizave, ndërhyrjes së hershme, permbylljes së bankave dhe përdorimit efektiv të fondeve, me qëllim avancimin e kapaciteteve institucionale dhe përmbushjen e objektivave të politikës publike për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e depozitoreve. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi edhe rëndësinë e përafrimit me Parimin Themelor 17 të IADI-it, i cili kërkon formalizimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet FSDK-së dhe institucioneve të tjera përkatëse të rrjetit të sigurisë financiare.

