Komunikatë për shtyp

Back to top

10 vite në mbrojtje të depozitorëve të Republikës së Kosovës

Komunikatë për shtyp

Të nderuar lexues,

Përvjetori i 10-të i themelimit, e gjen FSDK-në dhe jo vetëm, të ballafaquar me një situatë të paprecedentë. Si pjesë e rrjetës së sigurisë financiare, COVID-19 ka afektuar edhe Fondin e Sigurimit të Depozzitave të Kosovës (FSDK) pasi që situatat e tilla vënë në pah rolin dhe rëndësinë e këtyre institucioneve në sigurimin e stabilitetit financiar. Andaj, FSDK si entitet i vetëm publik në Kosovë që ofron sigurimin e depozitave, gjatë vitit pandemik, ndërmori veprimet e nevojshme për të siguruar vazhdimësinë e mbarëvajtjes së punës, dhe rriti komunikimin dhe këmbimin e informacionit me rrjetën financiare për të siguruar këmbimin në kohë të informacionit të duhur mbi nivelin e qëndrueshmërisë bankare.

Si rezultat i situatës së krijuar, në këtë përvjetor, po ju drejtohemi nga distanca për të ju informuar lidhur me të arriturat e FSDK-së gjatë kësaj dekade.

Nuk mund të mos fillojmë që nga zanafilla e themelimit të FSDK-së dhe të falënderojmë kontribuesit që krijuan kapitalin fillestar të fondit: Ministrinë e Financave, Kreditanstalt für Wiederaufbau (KfW) dhe Bankën Botërore. KfW në kuadër të mbështetjes së saj shtesë, ndër vite i ofroj asistencë FSDK-së në vendosjen e gurë-themeleve të para për ndërtimin e bazës rregullatore, operacionale dhe funksionale.

Duke qenë pjesë e rrjetës së sigurisë financiare, që nga themelimi në vitin 2011, FSDK ka menaxhuar Sistemin e Sigurimit të Depozitave në Kosovë me mandat kryesor sigurimin e depozitorëve dhe garantimin e kompensimit në rast të revokimit të licencës dhe mbylljes së bankës nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK). Në arritjen e objektivit kryesor në mbrojtje të depozitorëve të vegjël dhe për të siguruar kompensim efikas të depozitorëve të siguruar, FSDK që në fillimet e para ka nisur ndërtimin e bazës së nevojshme rreth funksionit të kompensimit dhe ka miratuar një numër të rregulloreve të brendshme. Në veçanti, FSDK ka hartuar rregullore të hollësishme për kompensimin e depozitave të siguruara që mbulon të gjitha fushat e procesit të kompensimit.

FSDK nën mbështetjen financiare të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka ndërtuar kornizën operacionale dhe teknike për kompensimin e depozitorëve në rast të mbylljes së një banke (Sistemit të Kompensimit të Depozitave), ka rregulluar procesin e rrjedhës së punës, ka përcaktuar afatet kohore dhe aktivitetet e hollësishme nga faza përgatitore, e gjer tek përfundimi i procesit të kompensimit. Gjithashtu, ka hartuar rregullin e përzgjedhjes së bankës agjente për pagesë e cila do të paguan shumën e kompensuar në emër të FSDK-së. Në linjë me këto zhvillime, FSDK ka realizuar simulime të ngjarjeve të siguruara në vitin 2017, bazuar në skenarin e përgatitur në pajtim me Udhëzuesin e EBA-së, si dhe testime të gatishmërisë operacionale të grupeve të punës dhe Bankës Agjente për Pagesë. Shtesë, gjatë periudhës 2018-2020, FSDK ka realizuar testime me bankat anëtare, me qëllim të testimit të gatishmërisë së tyre për të dorëzuar të dhëna cilësore brenda një afati të caktuar, për përcaktimin e shpejtë dhe të saktë të depozitave të siguruara.

Për të siguruar qëndrueshmëri financiare sipas parametrave të rekomanduar dhe krijimit të qasjes më të lehtë në likuiditet në rast të mbylljes së një banke, nën mbështetjen dhe garantimin e
Ministrisë së Financave, FSDK ka nënshkruar dy (2) Marrëveshje Financiare ndërkombëtare për linja të kredisë në shumë prej 34 milion EUR me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Falë financimit dhe kontributit në kapital, FSDK ka arritur që të rrisë limitin e mbulueshmërisë gjatë kësaj periudhe (nga 3,000 në 4,000 Euro, dhe aktualisht në 5,000 Euro) dhe sot siguron më shumë se 990 milion euro depozita, e që paraqet trefishin e shumës së siguruar në vitin 2011 kur FSDK-ja ka filluar operimin. Në anën tjetër, mbi 99% e depozitorëve sigurohen nga Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë deri në limitin e sigurimit.

Në rrafshin ndërkombëtar, që nga viti 2013, respektivisht 2017, FSDK-ja është anëtare e Shoqatës ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI) dhe e Forumit Evropian të Siguruesve të Depozitave (EFDI). Anëtarësimi në këto dy institucione i shërbeu ndër këto vite FSDK-së për avancim të vazhdueshëm të kapaciteteve dhe adaptimin e standardeve evropiane në fushën e sigurimit të depozitave. Tutje, me qëllim të përafrimit të Sistemit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë me standardet ndërkombëtare, FSDK-ja gjatë vitit 2015 ka realizuar vlerësimin e pajtueshmërisë me Parimet Themelore të IADI. Rezultatet dhe rekomandimet e këtij vlerësimi kanë ndihmuar FSDK-në në përcaktimin e objektivave dhe vendosjen e drejtimit strategjik për periudhën 2018-2022, dhe ndërmarrjen e aktiviteteve për përmbushjen e rekomandimeve të dalura nga ky vlerësim. Në anën tjetër, bashkëpunimi dhe mbështetja e donatorëve ndër vite si KfW, Banka Botërore (FinSAC) dhe BERZH-i në implementimin e projekteve specifike sipas standardeve më të mira ndërkombëtare shënohet si kontribut i veçantë i ndërtimit të deritanishëm të FSDK-së.

Bashkëpunimi me rrjetën e sigurisë financiare, Ministrinë e Financave dhe BQK-në, shënohet përmes nënshkrimit të memorandumeve të mirëkuptimit dhe implementimit të tyre ku FSDK-ja është bërë pjesë e Komitetit të Stabilitetit Financiar, i cili kontribuon në koordinimin e përpjekjeve në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar, veçanërisht lidhur me menaxhimin dhe gatishmërinë në rast krize. Gjithashtu, bashkëpunimi me BQK-në në drejtim të shkëmbimit të informacioneve dhe ekzaminimit të bankave anëtare shënoj forcimin e mandatit të FSDK-së.

Në një periudhë afatmesme aktivitetet e FSDK-së janë fokusuar në rritjen e bashkëveprimit me bankat anëtare, kryesisht në drejtim të implementimit të udhëzimeve që dalin nga Autoriteti Evropian Bankar (EBA) për premiumet e bazuara në rrezik, automatizimit të procesit të raportimit për premiumet dhe rritjes së kualitetit të të dhënave të depozitorëve të dorëzuara në FSDK në mënyrë që kompensimi i depozitorëve dhe kalkulimi i premiumeve të jetë në përputhshmëri me kërkesat e FSDK-së.

Aktivitetet FSDK-së kanë një synim të përbashkët e që është forcimi tutje i mandatit të saj në linjë me misionin, vizionin dhe vlerat e saj. Andaj, FSDK në mënyrë proaktive angazhohet që të përmirësoj dhe të avancojë sistemin e sigurimit të depozitave me qëllim që të ndihmoj në sigurimin e stabilitetit financiar dhe besueshmërisë në sektorin bankar. Në këtë drejtim, gjatë këtij viti po rishikojmë ligjin e FSDK-së i cili do të avancoj tutje sistemin e sigurimit te depozitave drejt standardeve më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.

Në fund, të gjitha këto të arritura dhe mandati i FSDK-së nuk do të kishin mundësi të realizoheshin pa iniciativën e Qeverisë së Kosovës, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, KfW-së, dhe
partnerëve ndërkombëtar financiar për iniciativën e themelimit të Sistemit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë. Andaj, u jemi mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme që keni ofruar dhe vazhdoni të ofroni në forcimin e mandatit të sigurimit të depozitorëve në Republikën e Kosovës.