Komunikatë për shtyp

Back to top

Siguruesit e Depozitave të Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit mbi Bashkëpunimin

Komunikatë për shtyp

Për publikim më datë 05.06.2014

logo_stickerasdBQKgerman_cooperationkwf

1Sot, më 4 qershor 2014, Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë (FSDK) dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë, shënojnë një arritje të rëndësishme në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mbi Bashkëpunimin. Të dy institucionet dakorduan kornizën e bashkëpunimit e cila përfshin shkëmbimin e përvojave, ndërtimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e informacionit për të arritur efektivitetin e sistemeve të të sigurimit të depozitave në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në hapje të Konferencës, Drejtoresha Menaxhuese e FSDK-se, Znj. Violeta Arifi-Krasniqi theksoi rëndësinë për siguruesit e depozitave të bashkëpunojnë për të arritur efektivitetin e sistemeve të tyre si dhe për të ngritur njohuritë dhe ekspertizën institucionale.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Zt. Ardian Fullani përshëndeti nënshkrimin e Marrëveshjës dhe theksoi se “Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit më të thellë të sistemeve financiare të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Së bashku me bankat qendrore dhe autoritetet e tjera mbikëqyrëse të tregjeve financiare, agjencitë e sigurimit të depozitave janë sot një hallkë e rëndësishme e mekanizmit për ruajtjen e sigurisë së kursimeve të qytetarëve dhe stabilitetit financiar. Në këtë kuptim, marrëveshja midis ASD dhe FSDK është një zhvillim i mirëpritur në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm të vendosur tashmë midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës. Ajo do të kontribuojë në një bashkërendim më organik të punës sonë të përbashkët për të garantuar zhvillimin e sigurt të tregjeve bankare e financiare në vendet tona.”

Kurse, Zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Zt. Fehmi Mehmeti, ka thënë se “Që nga themelimi i saj, vitit 2011, Fondi i Sigurimit të Depozitave të Kosovës ka luajtur një rol të rëndësishëm në funksion të stabilitetit të sektorit bankar. Krijimi i fondit të krijuar lidhur me mbrojtjen e depozitarëve vetëm se ka shtuar dhe shtresuar besimin e lartë të qytetarëve në sistemin bankar në Kosovë. Padyshim që madhësia e fondit të sigurimit të depozitave është parametër që varet nga niveli i zhvillimit ekonomik të një ekonomie. Fondi i krijuar lidhur me mbrojtjen e depozitarëve në mars 2014 ka arritur vlerën prej 23.4 milion euro që shërben si garanci shtesë e stabilitetit financiar në Kosovë. Përkthyer në aspekt të numrit të depozitarëve, fondi mbulon rreth 94% të depozitarëve të sistemit bankar në Kosovë.

Ky fjalim do të ishte i mangët nëse me këtë rast nuk do të përmendnim përkrahjen gjermane në proceset zhvillimore të Kosovë e sidomos në krijimin të fondit për sigurimin e depozitave. Për më shumë, që nga paslufta përkrahja gjermane ndaj sektorit financiar në Kosovë ka qenë domethënëse. Duke folur në emër të BQK-së, u jemi shumë mirënjohës popullit dhe shtetit gjerman si dhe kompanive gjermane lidhur me kontributin e tyre në proceset në Kosovë. Është pikërisht KfW-ja që ka bërë stimulin e parë në këtë drejtim duke dhënë kontribut të madh në krijimin e Fondit të Sigurimit të Depozitave me pjesëmarrje prej 5 milion euro.

Roli i BQK-së në këtë drejtim ka qenë i rëndësisë kyçe ku përmes nxjerrjes së legjislacionit përkatës dhe përshtatjes së tij konform standardeve dhe parimeve bankare ndërkombëtare, në të njëjtën kohë duke anticipuar me zhvillimet përkatëse të tregut bankar në Kosovë, ka ndikuar në krijimin e një klime të shëndoshë bankare duke implikuar në mënyrë indirekte edhe krijimin e këtij fondi”.

Në emër të Amasadës Gjermane, Znj. Henriette Kotter theksoi se: “Germania përkrahu themelimin dhe kapitalizimin e Sistemit të Sigurimit të Depozitave në mënyrë që forcojë besimin e qytetarëve në sektorin bankar dhe të ndihmojë Kosovën në plotësimin e kushteve për përafrim me Bashkimin Europian. Kosova ishte vendi i vetëm në BE që nuk ofronte sigurim të depozitave dhe tash për tri vite ne jemi dëshmitar të funksionimit të FSDK-së si një sistem i qëndrueshëm i sigurimit të depozitave dhe mbrojtjës së depozitorëve të vegjël por të njejtën kohë duke kontribuar në zhvillimin e sistemit financiar si një element i rëndësishëm i përparimit të ekonomisë kosovare. Këtë vit Gjermania dhe Kosova kremtojnë 15 vjetorin e bashkëpunimit që filloi si një asistence emergjente në vitin 1999. Ndërsa tani, partneriteti u zhvillua në një përkrahje të vazhdueshme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbështetje për integrim në BE.  Një sektor financiar i qëndrueshëm është parakusht themelor për këtë zhvillim”.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë, Z. Toni Gogutheksoi“Kjo është Marrëveshja e parë e Bashkëpunimit që Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Republikës së Shqipërisë nënshkruan me një Agjenci homologe. Ne, nuk mund të nënshkruanim një Marrëveshje Bashkëpunimi me homologë, pa nënshkruar më parë me Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kosovës. Kjo Marrëveshje sjell përfitime të ndërsjellta për të dy Institucionet, në drejtim të shkëmbimit të eksperiencave dhe bashkërendimit të punës dhe aktiviteteve për zhvillimin e skemave në përputhje me standartet ndërkombëtare.” Në fjalën e tij, Z. Gogu nënvizoi gjithashtu se “kuadri rregullativ i Bashkimit Europian për skemat e sigurimit të depozitave po përditësohet me qëllim përballimin me sa më pak kosto për depozituesit të situatave të vështira financiare. Po ashtu, Standartet Ndërkombëtare të Sigurimit të Depozitave (Core Principles) të IADI-t janë në proces rishikimi. Në këto kushte, dhe bazuar në rekomandimet e lëna nga Misionet FSAP që kanë audituar së fundmi sistemet financiare në Kosovë dhe Shqipëri, ASD dhe FSDK ndodhen përpara përqasjeve të reja që kërkojnë përmirësimin e mëtejshëm  të skemave në dy vendet tona.”

Drejtoresha Menaxhuese, Znj. Violeta Arifi-Krasniqi, paraqiti raportin vjetor për vitin 2013, duke dhënë një përmbledhje të sistemit të sigurimit të depozitave, si dhe aktiviteteve kryesore dhe arritjet. Pikat kryesore të theksuara përfshijnë, arritja e arkëtimit të kontributeve kapitale sipas projeksionit në mbështetje të ngritjes së limitit të sigurimit të depozitave në €3,000, nga 1 janari 2014, e paguar nga Qeveria Gjermane (përmes KfW-së).  Po ashtu, pagesa e fundit e kapitalit është paguar nga Qeveria e Kosovës në përputhje me Marrëveshjen trepalësh të Projektit dhe Financimit për kapitalizimin dhe themelimin e Sistemit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë.  Fondi i Sigurimit të Depozitave ka arritur në rreth €23 million pas pranimit të totalit prej  €17.5 milion kontribute kapitale në formë granti, si dhe pagesave të premiumeve nga bankat anëtare, ku gjithsej €11 milion janë ofruara nga Qeveria e Kosovës (përmes Ministrisë së Financave) dhe €6.5 milion nga Qeveria Gjermane (përmes KfW-së) me qëllim të krijimit si dhe të mbështetjes së ngritjes së limitit të sigurimit të depozitave.

Trend i ngjashëm i rritjes së depozitave është shënuar, duke treguar besimin e vazhdueshëm të publikut në sektorin bankar, ku depozitat në sektorin bankar të Kosovës janë rritur për 8.2% në €2.4 miliardë (bazuar në raportimin e veçantë të bankave anëtare të FSDK-së), si dhe rritje të depozitave të siguruara për 8.5% në €349 milion (në nivelin e sigurimit të depozitave prej €2,000), në krahasim me fundin e dhjetor te vitit 2012.  Aktualisht, në nivelin e sigurimit të depozitave prej € 3,000, FSDK siguron pak më shumë se 835 mijë depozitues (ose 93.3%) në tetë bankat anëtare që përbëjnë një vëllim të përgjithshëm të depozitave të siguruara prej €423 milion (ose 17.6%) më 31 dhjetor 2013.  Mëtej, Znj. Arifi-Krasniqi theksoi, arritjën në nivel ndërkombëtar të anëtarësimit të plotë të FSDK-së në Shoqatën Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI), platformë për tema të sigurimit të depozitave dhe hulumtim, duke deklaruar përfitimet e anëtarësimit në ngritjen e aftësive të brendshme përmes shkembimit të njohurive, praktikave dhe rrjetit të siguruesve të depozitave përgjatë botës.

Aktivitetet e vetëdijësimit të publikut ishin me fokus për FSDK-në gjatë gjithë vitit i arritur përmes sigurimit të informacionit të detyrueshëm për depozituesit mbi sigurimin e depozitave. Në këtë drejtim, të gjitha bankat anëtare janë furnizuar individualisht me Certifikata të Anëtarësisë të cilat duhet të shfaqen në të gjitha zyret afariste të bankave të hapura për klient.  Në mënyrë të ngjajshme, fletëpalosjet informative mbi specifikat e sigurimit të depozitave janë në dispozicion për publikun në të gjitha zyret afariste të bankave të hapura për klient.

 

2

Fondi për Sigurimin e Depozitave të Kosovës (FSDK)

Fondi për Sigurimin e Depozitave të Kosovës (FSDK) menaxhon sistemin e sigurimit të depozitave në Kosovë me mandate kryesor sigurimin e depozitorëve dhe garantimin e kompensimit në rast të revokimit të licencës dhe mbylljes së bankës nga Banka Qëndrore e Republikës së Kosovës (BQK).  FSDK gjithashtu mbështet BQK në mbajtjen e stabilitetit të sistemit financiar duke ruajtur besimin e depozitorëve në sistemin bankar.  Fondi siguron depozitat e personave fizik dhe personave juridik deri në nivelin maksimal të mbulesës prej 3,000 Euro (me ngritje €4.000 nga 01.01.2016; dhe në €5.000 nga 01.01.2018) dhe kompenson çdo depozitor të siguruar brenda 30 ditëve në të revokimit të licences dhe mbylljes së bankës. Nga viti 2012 deri në vitin 2014, FSDK do të pranon këshilla teknike Global Banking Development Solutions (GBDS) që financohet në tërësi nga Qeveria Gjermane (përmes KFW-së).

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK)

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka për objektiv primar krijimin dhe mbarëvajtjen e një sistemi të qëndrueshëm financiar në Kosovë, duke përfshirë një sistemi të sigurt, të shëndoshë dhe efikas të pagesave. Në licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimi e bankave kosovare, Banka Qendrore i kushton vëmendje të veçantë mbrojtjes së interesave të depozitorëve. Bashkëpunimi ndërmjet Bankës Qendrore dhe FSDK-se për sa i përket shkëmbimit të informacioneve dhe çështjeve tjera të interesit reciprok rregullohet me anë të Memorandumit të Mirëkuptimi.  Banka Qendrore ka qenë iniciatore i krijimit të skemës dhe ka ofruar në mënyrë intensive burime njerëzore dhe teknike për të mbështetur themelimin, si dhe operacionalizimin e FSDK-së.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave e Republikës së Shqipërisë

Nga viti 2002 Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) është administrator i vetëm i skemës së sigurimit të depozitave në Republikën e Shqipërisë. Objektivi kryesor i ASD është të mbrojë depozituesit individë dhe të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit financiar. ASD siguron depozitat në të gjitha bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri dhe kompenson në rast falimenti deri në shumën 2.500.000 Lek për depozitues, në pëputhje me dispozitat e ligjore në fuqi. ASD luan një rol të rëndësishëm në rritjen e besimit të publikut në sistemin bankar dhe në sistemin kombëtar financiar në përgjithësi. Ligji i ri “Për sigurimin e depozitave”, i sapo miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, parashikon përfshirjen e depozitave në Shoqëritë e Kursim Kredit (SHKK) në skemën e sigurimit të depozitave. Sigurimi i depozitave në institucione financiare të ndryshme nga bankat, konsiderohet si një arritje me shumë rëndësi në kuadër të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend. Depozitat në SHKK sigurohen deri në shumën 2.000.000 lek për depozitues.. ASD është anëtare Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, së bashku me Ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë dhe Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare.

KfW Entwicklungsbank (Bankë Zhvillimore e Gjermanisë)

Grupi bankar i KfW-së është një prej bankave lidere promocionale në botë. KfW -ja zbaton Kooperimin Financiar Gjerman në emër të Qeverisë Gjermane për të zbatuar objektivat në bashkëpunimin ndërkombëtar me vendet e pazhvilluara dhe vendet në zhvillim.  KfW-ja synon të implementoj projektet për nevojat e këtyre vendeve dhe popullatës së tyre.

Në Kosovë, KfW-ja përkrah projektet në sektor të ndryshëm si në sektorin e ujit, energjisë dhe sektrorit financiar dhe për 15 vite ka zotuar mbi 269 million euro. Sektori financiar, për të cilin Qeveria Federale Gjermane që nga 1999, përmes KfW-së ka zotuar mbi 46 million euro është një prej pikave kyçe në fushën e bashkëpunimit Financiar Gjerman.

Në mënyrv që të vejë shërbimet financiare në linjë insittucionale, Kooperimi Financiar Gjerman, i zbatuar nga KfW-ja mbështeti themelimin e ProCredit Bankës (ish-MEB) si banka e parë e pasluftës në vitin 2000 kur sektori bankar në Kosovë u dashtë të rindërtohët prej fillimi.  Banka sot operon suksesshëm si një prej bankave më të mëdha në Kosovë.

Themelimi i institucioneve tjera si EFK, EFSE e GGF poashtu të përkrahura nga KfW-ja kanë ndihmuar të rriten fondet në dispozicion për Kosovën. Një shtyllë e rëndësishme e përkrahjës së KFW-së ka qenë  sigurimi  dhe ofrimi i fondeve për rifinancim për banim për të përkrahuar rehabilitimin e sektorit të banimit. Për më shumë, Qeveria Gjermane përmes KFW-së është e zotuar për të ndihmuar Kosovën në shfrytëzimin me eficient dhe të qëdrueshëm të energjisë me futjen e produkti të ri për eficiencë të energjisë në banka, KfW-ja do të përkrah zona rurale me ofrimin e financimin kryesisht për investime dhe kështu të kontriboj në gjenerimin e punësimit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. Këto dhe projektet tjera që janë në përgaditje demostrojnë zotimet e Qeverisë Gjermane për përkrahjen e ekonomisë së Kosovës.

 

Link:

[wpdm_file id=132]